Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në mëngjesin e sotëm në Itali, ku Karabinierët e Kompanisë së Borgo San Lorenzo, me mbështetjen e njësive territoriale, kanë ekzekutuar 12 urdhra arresti në burg. Këto urdhra janë lëshuar nga Gjykatësi për hetimet paraprake i Gjykatës së Firences, me kërkesë të Drejtorisë Kundër Mafias.
Operacioni u zhvillua në provincën e Firences dhe në 9 provinca të tjera italiane, duke përfshirë mbi 100 karabinierë dhe njësinë e qenve të trajnuar antidrogë.
32 persona nën hetim dhe tre grupe kriminale
Hetimi, i zhvilluar nga Njësia Operative dhe Radiomobile e Borgo San Lorenzo në periudhën 2020-2023, përfshiu 32 të dyshuar dhe zbuloi tre grupe të lidhura me narkotikët me aktivitet ndërkombëtar.
Roli kryesor i shqiptarëve
Grupi i parë, përbërë ekskluzivisht nga shtetas shqiptarë, merrej me importimin e kokainës nga Holanda në Itali dhe shpërndarjen me shumicë.
Grupi i dytë eksportonte kokainë nga Firence drejt Zvicrës për shitje me pakicë dhe merrej gjithashtu me shpërndarjen e hashashit dhe marihuanës. Ky grup ishte aktiv në Firence, në provinca të tjera të Toskanës dhe në kantonin e Cyrihut.
Grupi i tretë, një degë e grupit të parë, përbëhej gjithashtu nga shqiptarë, përfshirë një grua që importonte hashash në sasi të mëdha nga Zvicra në Itali për shitje me pakicë.
Sasi të mëdha droge të sekuestruara
Hetimet çuan në sekuestrimin e 2 kilogramëve kokainë, 22 kilogramëve marijuanë dhe 0.5 kilogram hashash. Gjatë operacioneve u arrestuan 4 persona në flagrancë, ndërsa një tjetër u arrestua në Shqipëri përmes një Mandati Ndërkombëtar Arresti.
Ky operacion tregon fuqinë dhe shtrirjen ndërkombëtare të rrjeteve shqiptare të trafikut të drogës, të cilat veprojnë jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.