Vija bregdetare e Shëngjinit, frekuentohet në masë nga Shqiptarët e Kosovës, të cilët preferojnë plazhin, rërën kurative dhe çmimet e lira. Në Vlorë, nga ana tjetër, pushuesit thonë se në krahasim me vitin e kaluar, çmimet ishin më të larta, ndërsa në disa zona kishte edhe mungesë të ujit.
Ulja e temperaturave dhe reshjet e pakta të shiut që ranë gjatë mëngjesit, nuk i prishën pushimet e turistëve në plazhin e Shëngjinit. Thuajse në të gjithë vijën bregdetare nga Rana e Hedhur deri ne Kune pushuesit nuk u frenuan të lahen në det.
Bregdeti i Shëngjinit preferohet në masë kryesisht nga shqiptarët e Kosovës.
“Kurrfarë pengese s’ka, jo more pse të largohemi, mirëseardhur është ky shi”, thuhet një prej tyre.
“Unë këtu vij çdo vit, mirë është shumë mirë, njerëzit janë të mirë plazhi i mirë, afër”, thotë një tjetër.
Por nuk mungojnë edhe nga Tetova.
“Koha po bëhet më mirë, shiu nuk është asgjë, dikush i frikësohet por jo, dielli mendoj se do na kënaqë, edhe fëmijët kënaq”, thotë pushuesi nga Maqedonia e Veriut.
Referuar prenotimeve, sezoni në Shëngjin kap edhe muajin shtator. Në një tjetër qytetar bregdetar, në Vlorë, ky 10 ditësh i fundit gushti, kthen në vendet e punës emigrantët shqiptarë, kryesisht drejt Italisë. Në portin e Vlorës arrijmë t’i marrim përjetimet e ditëve të kaluara në vendlindje.
“Cik rrëmujë, por bukur është vendi im, kam mamanë këtu vij gjithë gëzim”, thotë një pushuese
Këtë vit thotë se nuk largohen me të njëjtën shije të mirë si radhët e kaluara.
“Çmimet janë pak të larta, sidomos për ata që jetojnë këtu, për rrogën apo pensionet që marrin”, vijon ajo.
“Unë me vëllain qëndruam 2 muaj se bëmë edhe 1 muaj punë këtu. Vit për vit vijmë e shikojmë s’është se ka ndryshuar gjë, por kënaqësi që shohim nënën”, thotë një tjetër.
“Mirë mu duk por çmimet shumë të larta”
“Sivjet më dobët, jo mirë si vitin e kaluar. Çmimet ishin shumë lartë, edhe mungesa e ujit. Unë kisha ndërmend të ikja në fund të muajit por ika më shpejt se kishte shumë probleme”, shprehet një tjetër pushues.
Në një zë, emigrantët shqiptarë thonë megjithatë se plazhet e Vlorës mbeten më të bukurat në Shqipëri.