Andrew Board, një 39-vjeçar nga Durham i Anglisë, është kthyer në një figurë lokale heroike, pasi ka vendosur të përballet vetë me valën e vjedhjeve në dyqanin e tij “Core Convenience Store”, duke mos pritur më që policia të ndërhyjë. I lodhur nga grabitjet e përditshme dhe nga dënimet e buta të dhëna nga gjykatat, ai ka ndaluar hajdutë, i ka ndjekur në rrugë, madje i ka tërhequr fizikisht brenda në dyqan për t’i përballur me drejtësinë — e cila në shumicën e rasteve, sipas tij, dështoi.
Në një incident të fundit, ai kapi një hajdut me kasë birre që ishte nën mbikëqyrje me byzylyk elektronik, por autoritetet zgjodhën ta falin me një “marrëveshje komunitare” — mjaft që të kthente mallin. Sipas Andrew, ky sistem inkurajon krimin: “Vjedhja sot shpërblehet”, tha ai. Me mbi 40 persona në listën e tij të ndaluar, ai ka pasur përballje me grabitës të të gjitha moshave, nga të mitur e deri te pensionistë që vjedhin për të shlyer borxhe droge. Ndërkohë, produktet si Lurpak, Nescafe dhe Spam janë hequr nga raftet për shkak të vjedhjeve të shpeshta.
Pavarësisht përpjekjeve të policisë, Andrew thotë se burokracia dhe mungesa e burimeve i pengojnë oficerët të veprojnë si duhet. Ai përdor grupe WhatsApp me tregtarë të tjerë për të ndarë informacione në kohë reale — diçka që policëve nuk u lejohet ta bëjnë. Ndërsa vjedhjet në Angli dhe Uells arritën mbi 516 mijë raste në vitin 2024, një rritje prej 20% nga viti pararendës, Andrew thotë se po mbron biznesin e tij me “taktika shokuese” sepse thjesht nuk ka zgjidhje tjetër.