FLASH :

Shifrat që fshehin realitetin: Rritja e të ardhurave doganore është alarm për shoqërinë, jo sukses për qeverinë

Në një tjetër akt vetëlavdërimi institucional, Administrata Doganore ka njoftuar me bujë mbledhjen e 23,2 miliardë lekëve në korrik dhe 137 miliardë lekëve për periudhën janar-korrik, duke theksuar një rritje respektive prej 9,1% dhe 4,3% krahasuar me një vit më parë. Me një gjuhë burokratike që i shkon për shtat propagandës, raporti e cilëson këtë rritje si tregues i “rritjes së konsumit dhe efektivitetit të masave doganore”. Por çfarë fshihet pas këtyre shifrave të zbukuruara?

Sipas vetë të dhënave zyrtare, rritja e të ardhurave nuk ka ardhur nga ndonjë bum industrial, rritje të eksporteve apo zhvillim të sektorëve prodhues por nga një rritje e frikshme e importeve të mallrave të akcizës: karburant, cigare, kafe dhe birrë. Pra, qeveria dhe administrata krenohen se qytetarët shqiptarë kanë pirë më shumë, kanë konsumuar më shumë nikotinë, janë varur më shumë nga kafeja dhe kanë djegur më shumë naftë në një ekonomi që ende vuan nga papunësia, informaliteti dhe emigracioni masiv.

Konkretisht, janë importuar 5200 tonë më shumë karburant, 58 tonë më shumë cigare, 60 tonë më shumë kafe dhe 200 tonë më shumë birrë vetëm në korrik. Në total për shtatë muajt e parë të vitit, janë futur në treg 50 mijë tonë më shumë karburant, 154 tonë më shumë cigare, 162 tonë më shumë kafe dhe 4700 tonë më shumë birrë. Këto shifra nuk përfaqësojnë mirëqenie, por një përkeqësim të sjelljes konsumatore, varësi nga produktet që nuk shtojnë vlerë në ekonomi dhe një shoqëri që, përballë mungesës së perspektivës, po gjen strehë në konsum pa prodhim.

Ndërsa importi i produkteve të luksit të përditshëm rritet, vendi vazhdon të mos ketë një strategji të qëndrueshme për zhvillimin e prodhimit vendas. Bizneset shqiptare, në mungesë të incentivave dhe të mbështetjes, nuk arrijnë të konkurrojnë dot as në tregun e brendshëm, e jo më në atë rajonal. Doganat, në vend që të lehtësojnë eksportin dhe të mbështesin inovacionin, po e trajtojnë rritjen e importit si arritje, kur në fakt është simptomë e një ekonomie të varur nga konsumi dhe jo nga krijimi i vlerës.

Për më tepër, kjo rritje e të ardhurave doganore është ndodhur në kundërshtim me forcimin e euros dhe dollarit, duke sjellë efekt negativ prej 5 miliardë lekësh. Në vend që të analizohet rënia e fuqisë blerëse, devijimi i kursit të këmbimit dhe varësia nga importet, raporti na ofron një llogari hipotezore sikur gjithçka ishte ideale: se në “kushte të pandryshuara të kursit”, të ardhurat do ishin 142 miliardë lekë. Retorikë artificiale për të maskuar dështimin real. Ky triumfalizëm doganor nuk është gjë tjetër veçse një tregues i qartë i një modeli ekonomik të gabuar: shteti shqiptar po mbledh më shumë të ardhura jo sepse është bërë më efikas apo sepse ekonomia është më konkurruese, por sepse qytetarët po paguajnë më shumë për konsum të dëmshëm, për mallra të huaja dhe për mënyra mbijetese.

Rritja e akcizës dhe përfitimi nga importet nuk është politikë zhvillimi, por një zgjedhje cinike për të mbajtur frymëmarrjen e buxhetit përmes varfërisë së qytetarëve. Kjo është një ekonomi që e konsumon të ardhmen për të mbushur të tashmen. Në vend që të krenohemi me shifrat e birrës, duhanit dhe karburantit, është koha të pyesim: sa tonë më shumë kemi eksportuar teknologji, produkte bujqësore, apo shërbime me vlerë të shtuar? Përgjigjja është e qartë: shumë pak. Për sa kohë qeveria do vazhdojë të masë “suksesin” me sasinë e kafeve dhe cigareve të zhdoganuara, Shqipëria nuk do të ecë përpara por do të notojë në vend, e ngulfatur nga tymi dhe alkooli i shifrave të fryra.