FLASH :

Sherri për pronën përfundon në dhunë: 21-vjeçarja në Has sulmon çiftin me sende të forta

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Pla të Hasit, ku një 21-vjeçare ka përfunduar në prangat e policisë pas një akti dhune ndaj një çifti bashkëshortësh.

Sipas uniformave blu, ngjarja ndodhi pas një konflikti për çështje pronësie mes dy familjeve. E reja dyshohet se ka goditur me sende të forta një burrë 65-vjeç dhe bashkëshorten e tij 60-vjeçe.

Burri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gruaja është nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.

Policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për një konflikt për motive pronësie në fshatin Pla, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasen:     

A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë).   

Shtetasi A. J. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasja V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.