FLASH :

Sherr me grushta në ajër mes pasagjerëve pasi një grup grash refuzuan të ndalonin së foluri me zë të lartë

Një përleshje e dhunshme mes pasagjerëve ka ndodhur gjatë një fluturimi të kompanisë Air Asia nga Kuala Lumpur drejt Chengdu, Kinë, pasi një grup vajzash refuzuan të ulnin zërin kur dritat e kabinës u shuan për gjumë. Ngjarja ndodhi rreth mesit të fluturimit katërorësh, kur një pasagjer, i ulur pas tyre, kërkoi që ato të pushonin së foluri me zë të lartë, por ato refuzuan. Situata doli jashtë kontrollit kur burri i quajti “budallaqe” dhe u tha “mbylleni gojën”, çka solli një reagim të dhunshëm nga vajzat, përfshirë edhe nënën e njërës prej tyre.

Pamjet filmike tregojnë një grua me veshje jeshile dhe kapele bejsbolli duke sulmuar burrin me grushte mbi tryezën e ushqimit, ndërsa stjuardesat përpiqen me vështirësi të ndalojnë përplasjen, me dritat emergjente të ndezura në sfond. Një pasagjere që xhiroi ngjarjen tha se zënka nisi për shkak të zhurmës së vajzave dhe paaftësisë së ekuipazhit për të vepruar herët. Avioni Airbus A320 u nis në orën 18:11 me orën lokale dhe mbërriti në Chengdu në 22:13, ku policia ishte në pritje për të marrë në pyetje personat e përfshirë. Autoritetet kineze kanë nisur një hetim, por nuk është bërë ende e ditur nëse ka pasur arrestime.

Ky incident vjen vetëm një javë pas një tjetër përplasjeje në ajër, kur një pasagjere e moshuar shpërtheu në ofendime ndaj një familjeje në një fluturim të Hong Kong Express, pasi fëmija i tyre i vogël i kishte goditur sediljen. Edhe në atë rast, policia ishte thirrur për të hetuar pas uljes së avionit në aeroportin Phu Quoc. Rritja e incidenteve të tilla po ngre shqetësime për sigurinë dhe menaxhimin e sjelljes gjatë fluturimeve ndërkombëtare.