Një tjetër ngjarje e rëndë trondit sezonin turistik shqiptar, në zonën e Lumit të Shalës. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, një konflikt i ashpër ka shpërthyer mes një grupi të rinjsh shqiptarë që ndodheshin për pushime dhe disa individëve që operojnë me aktivitete turistike në këtë zonë. Përplasja ka përfunduar me përdorim të sendeve të forta dhe ka lënë dy persona të plagosur rëndë.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim të madh mes pushuesve që ndodheshin aty. Deri më tani, nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia për shkaqet e konfliktit apo për masat ndaj personave të përfshirë. Mbetet ende e paqartë se çfarë e shkaktoi përplasjen, por burime jozyrtare flasin për një debat banal që degjeneroi në dhunë të rëndë fizike.
Ngjarje të tilla hedhin hije të forta mbi imazhin e turizmit shqiptar, veçanërisht në zona si Lumi i Shalës, që falë natyrës unike, ujërave të kristalta dhe qetësisë që ofron, kanë tërhequr me mijëra turistë vitet e fundit. Por në vend që të forcohet përvoja turistike dhe të respektohet standardi i shërbimeve, rastet e tilla nxjerrin në pah mungesën e kontrollit, mungesën e prezencës së forcave të rendit dhe neglizhencën ndaj sjelljes së operatorëve lokalë.
A është normale që biznese që operojnë me turistë të përfshihen në dhunë ndaj vizitorëve? Kush i kontrollon këta operatorë dhe mbi çfarë kriteresh i jepet licenca për të ushtruar veprimtari në zona të mbrojtura?
Autoritetet lokale dhe qendrore duhet të marrin masa urgjente për të rregulluar situata të tilla, duke verifikuar aktivitetet që operojnë në emër të turizmit, por që në realitet rrezikojnë sigurinë e vizitorëve. Inspektimet duhet të jenë të rregullta dhe të shoqërohen me penalitete konkrete, përfshirë heqjen e licencave për subjektet që shkelin ligjin apo cenojnë sigurinë publike. Nëse kërkojmë të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm, mikpritës dhe të sigurt, nuk mjafton vetëm promovimi i bukurive natyrore. Duhet garantuar edhe rendi, standardi dhe përgjegjësia – përndryshe, çdo përpjekje për të ngritur turizmin në nivel evropian mbetet një fasadë që bie me çdo lajm të tillë.