Një aksion i gjerë është zhvilluar këtë të dielë në Shëngjin nga një grup i përbashkët pune i përbërë nga Bashkia Lezhë, Policia Bashkiake, Drejtoria e Urbanistikës, Drejtoria e Taksave dhe Njësia Administrative, me qëllim lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare dhe kontrollin e zbatimit të ligjit nga subjektet private.
Kontrollet janë përqendruar në verifikimin e çmimeve të parkingjeve, kontratave të stacioneve të plazheve – përfshirë edhe ato të menaxhuara nga kompania “Lezha Invest” – si dhe në rastet e zënies së padrejtë të hapësirave publike në plazhet publike. Si rezultat, janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore.
Ndaj subjekteve në shkelje janë marrë masa administrative, përfshirë gjobitje dhe sekuestrime, ndërsa disa raste janë referuar për hetim të thelluar pranë Drejtorisë së Tatimeve. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik për të garantuar akses të lirë dhe të drejtë për të gjithë pushuesit në hapësirat publike.















