Një tjetër episod i rëndë dhune mes të miturve tronditi sot Kukësin. Rreth orës 17:25, një 15-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës një bashkëmoshatar të tij, i cili është transportuar me urgjencë në spitalin e Prizrenit. Fatmirësisht, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka reaguar shpejt dhe, falë bashkëpunimit me qytetarët, autori i dyshuar është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Kukës. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Por përtej ngjarjes kriminale, ajo që bie në sy është fakti se një plagosje e ndodhur në qytetin e Kukësit – në territorin e Republikës së Shqipërisë – kërkoi trajtim mjekësor jashtë kufirit, në spitalin e Prizrenit, Kosovë. Arsyeja? Mungesa e kapaciteteve për trajtim të specializuar në vend.
Ndërkohë që qeveria dhe propaganda e “Rilindjes” na servirin fabula për “shëndetësi falas” dhe “shëndetësi cilësore”, realiteti është ndryshe: qytetarët shqiptarë, edhe për plagosje urgjente, detyrohen të kalojnë kufirin për të gjetur ndihmën që nuk e marrin dot në spitalet tona. Kjo ngjarje e dhimbshme është një dëshmi e gjallë e shëndetësisë së rrënuar, që po i detyron shqiptarët të kërkojnë shpëtim diku tjetër.







