Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë pasdite në Klos, ku është shembur një masiv minerali në një zonë industriale ku përpunohej krom. Shembja ka përfshirë edhe një fadromë, ndërsa fati i drejtuesit të saj mbetet ende i panjohur.
Ngjarja ka ndodhur pranë një fabrike të përpunimit të kromit, e cila, sipas informacioneve paraprake, ishte dhënë me qira nga dy shtetas kinezë. Si pasojë e shembjes është çarë edhe një rezervuar uji, duke rritur më tej rrezikun për zonën përreth.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipe të kërkim-shpëtimit, ndërsa dhjetëra banorë janë bashkuar në përpjekjet për të gjetur drejtuesin e mjetit të zhdukur.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e shembjes, ndërkohë që situata mbetet ende e pasigurt.