FLASH :

Shehaj nga Vlora: do ti japim Shqipërisë një qeveri të pa korruptuar, do t’ja dalim vetëm

Agron Shehaj ka vijuar turin e tij të takimeve, këtë herë në Vlorë, qytetin ku ndau me qytetarët një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të tij personal dhe profesional. Shehaj tregoi se si ambicia dhe vendosmëria kanë qenë gjithmonë shtylla që e kanë udhëhequr, qoftë në biznes, ashtu edhe tani në politikë.
“Kur unë nisa biznesin, të gjithë më thonin: Agron, je shumë ambicioz. Kuptohet, dëshira ishte e madhe, ambicia ishte e madhe. Por tani, kur mendoj ato momente të fillimit, jo vetëm që ambicia nuk ishte e madhe, por unë duhet të isha edhe më ambicioz. Këtë gjë po bëjmë sot edhe në politikë”, u shpreh Shehaj para qytetarëve.

Shehaj theksoi se sfidat janë të mëdha, por vullneti për t’i përballuar ato është edhe më i madh. “Na thonë që jeni shumë ambiciozë sepse doni të hyni në Parlament me një grup parlamentar të pavarur, pa ndihmën e PS-së apo të PD-së. Nëse kjo ju duket ambicioze, atëherë ta dini që kjo është vetëm pjesa më e vogël e asaj që ne duam të bëjmë,” theksoi ai.
Në vijim, Shehaj deklaroi me vendosmëri objektivin madhor të lëvizjes së tij politike: një qeveri e pa korruptuar për Shqipërinë. “Po kur t’ju them se ne do t’i japim Shqipërisë një qeveri të pa korruptuar dhe këtë do ta bëjmë vetë, çfarë do të thoni? Është i çmendur?!”, theksoi ai duke nënvizuar se ky është qëllimi i tyre.

Fjalimin e mbylli me një mesazh të ngrohtë dhe simbolik për qytetin e Vlorës: “Ky është vetëm fillimi dhe vend më të përshtatshëm për të folur për fillimet, nuk mund të kishte veçse Vlora.”
Agron Shehaj rikonfirmoi vendosmërinë për të sjellë ndryshimin e shumëpritur, duke i dhënë shpresë dhe besim qytetarëve për një të ardhme më të ndershme dhe më të drejtë për Shqipërinë.