Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, ka ndjekur nga afër numërimin e votave në KZAZ nr. 32 në Shkozë, duke u angazhuar për garantimin e transparencës dhe ndershmërisë së procesit. Në ambientet e shkollës “Marie Logoreci” ku po numërohet njësia nr 1, ka patur përplasje mes përfaqësueseve të Partisë Mundësia dhe komisionerëve, pasi Partia Mundësia pretendonte parregullsi në procesin e numërimit përfshirë edhe votat e pavlefshme.
Ka qenë nënkryetarja e kësaj partie Barbara Doda dhe me pas edhe kryetari Agron Shehaj që kanë kërkuar të rinumërohet kutia.
Por debati ka agravuar dhe Partia Mundësia ka thirrur policinë. Shehaj pretendon se Ministri Ervin Hoxha ka dhënë urdhër që të nxirret nga KZAZ Barbara Doda dhe ka debatuar me të në ambientet e numërimit të votave.
Debati mes Agron Shehaj dhe Ervin Hoxhës:
Agron Shehaj: Mos fusni duart te kutitë, do përballeni me ligjin. Zotëri ministër, tregoju qytetarëve se çfarë ndodh këtu? Ju e dhatë urdhrit që të largonit një kandidate nga qendra e numërimit sepse po kërkonte të drejtën e saj? Zoti ministër pse fshihesh?
Ervin Hoxha: Po bëhesh i rëndësishëm se po bëhesh deputet.
Agron Shehaj: Je fshehur ë.
Me vendosmëri, ai mbrojti të drejtën e përfaqësuesve të partisë së tij për të ndjekur nga afër procesin e numërimit, duke u siguruar që çdo votë e qytetarëve të përfaqësohej me ndershmëri. Përkushtimi i tij për transparencë tregon vendosmërinë për të mbrojtur demokracinë dhe për të garantuar një proces të drejtë zgjedhor.
Ky është ministri i brendshëm që duhet të kujdesej për rendin dhe sigurinë e çdo qytetari shqiptar. Në vend të kësaj, ai ka braktisur detyrën dhe, në petkun e një militanti partiak, po i shërben partisë që e ka vendosur në detyrë si ushtar të bindur të Edi Ramës.
Kujtojmë që pak kohë më parë, ministri Hoxha u fotografua duke përdorur makinat e Gardës së Republikës për të transportuar materiale propagandistike elektorale, një shkelje e rëndë e ligjit, për të cilën ai nuk u përball me asnjë pasojë, pasi edhe KQZ-ja, që duhet të marrë masa në raste të tilla, është në shërbim të qeverisë.






