Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, gjenerali Eyal Zamir, ka paralajmëruar kundër një pushtimi të plotë të Gazës, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu po shqyrton një ndërhyrje të re masive në territorin e rrethuar. Sipas tre burimeve izraelite të njohura me diskutimet, Zamir ka thënë se një “konkistë” e plotë do të bllokonte forcat izraelite në terren, do të rriste rrezikun për pengjet që ndodhen ende në Gaza, dhe do të rraskapitë ushtrinë që po përballet me lodhje masive të rezervistëve.
Në një takim me zyrtarë të lartë të martën mbrëma, Zamir propozoi një strategji më të përmbajtur, duke rrethuar qytetin e Gazës dhe zonat ku mund të jenë të fshehur pengjet. Por Netanyahu është i vendosur për një ndërhyrje më të thellë, ndërsa të enjten pritet të kërkojë mbështetjen e kabinetit të sigurisë për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës – një hap që do përfaqësonte një përshkallëzim të madh të luftës dhe që vjen në një kohë kur qeveria izraelite po përballet me presion ndërkombëtar për armëpushim.
Zamir, i cili mbështet qasjen diplomatike për përfundimin e luftës, është përplasur hapur me krahun ekstremist të koalicionit qeveritar, veçanërisht me ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili i kërkoi publikisht që “të respektojë vendimet e udhëheqjes politike, edhe nëse bëhet fjalë për pushtim të plotë”.
Edhe lideri i opozitës, Yair Lapid, e quajti idenë e pushtimit të Gazës një “ide shumë e keqe”, duke shtuar se “populli izraelit nuk dëshiron më këtë luftë” dhe “do të paguajë një çmim të rëndë”.
Sondazhet në Izrael tregojnë se shumica e qytetarëve mbështesin përfundimin e luftës në këmbim të lirimit të rreth 50 pengjeve që ndodhen ende në territorin palestinez.
Krizë urie dhe kritika ndaj ndihmës humanitare të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi të mërkurën 138 të vrarë në 24 orët e fundit, shifra më e lartë në javët e fundit. Pesë persona vdiqën nga uria, duke e çuar në 193 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga uria dhe kequshqyerja, përfshirë 96 fëmijë.
Vetëm 1.5% e tokës bujqësore në Gaza është e aksesueshme dhe e paprekur, sipas të dhënave të OKB-së. Ndihmat janë të pamjaftueshme dhe shumë prej tyre nuk arrijnë tek popullsia. Një pjesë e madhe e kritikës po drejtohet ndaj rrjetit të shpërndarjes së ndihmave Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një strukturë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli që synon të anashkalojë rolin e OKB-së.
OKB-ja ka refuzuar të marrë pjesë në këtë skemë, duke e cilësuar në kundërshtim me parimet humanitare. Më shumë se 1,000 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite duke tentuar të marrin ushqime, sipas OKB-së, përfshirë qindra pranë qendrave të GHF. Vetë GHF e mohon këtë.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se GHF do të zgjerohet në 16 pika shpërndarjeje që do të funksionojnë 24 orë në ditë, duke thënë se qëllimi është që ushqimi “të mos përfundojë në duart e Hamasit”.