FLASH :

SHBA vendos sanksione ndaj tre organizatave palestineze të të drejtave të njeriut! Rriten tensionet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tre organizatave palestineze të të drejtave të njeriut, të cilat i kishin kërkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) të hetojë sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Kjo lëvizje e Uashingtonit ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International dhe Human Rights Watch, ndërsa tensionet me GJPN-në vazhdojnë të rriten.

Organizatat Al-Haq, Al Mezan Center for Human Rights dhe Palestinian Centre for Human Rights kanë dorëzuar kërkesa zyrtare në GJPN për hetimin e sulmeve izraelite gjatë vitit 2023 në Gaza, duke kërkuar llogaridhënie për viktimat palestineze.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh:

“Veprimet e vazhdueshme të GJPN-së krijojnë një precedent të rrezikshëm për të gjitha kombet. Ne do të kundërshtojmë në mënyrë aktive çdo veprim që kërcënon interesat kombëtare të SHBA-së dhe sovranitetin tonë apo të aleatëve tanë, përfshirë Izraelin.”

SHBA-ja dhe Izraeli nuk janë palë nënshkruese të GJPN-së dhe nuk e njohin juridiksionin e saj. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni e akuzon gjykatën për një “agjendë politike” që, sipas tyre, po dëmton aleatët perëndimorë.

Organizata Al-Haq reagoi ashpër ndaj vendimit amerikan, duke e quajtur atë një “akt të turpshëm, të paligjshëm dhe antidemokratik”, që synon të shkatërrojë institucionet palestineze që kërkojnë drejtësi për viktimat civile në Gaza.

“Ndërkohë që pjesa tjetër e botës po shqyrton sanksione dhe embargo armësh ndaj Izraelit, aleati i tij, SHBA po sulmon institucionet palestineze që punojnë për drejtësi dhe llogaridhënie,” thuhet në reagimin e Al-Haq.

Kjo nuk është hera e parë që administrata amerikane ndërhyn ndaj veprimeve të GJPN-së:

Në shkurt, SHBA ndaloi hyrjen në territorin e saj të prokurorit të GJPN-së, Karim Khan, si dhe çdo bashkëpunim me entitete amerikane.

Në qershor, vendosi sanksione ndaj katër gjyqtarëve të GJPN-së të përfshirë në hetimet për krimet në Gaza.

Javën e kaluar, Palestinian Authority dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) u sanksionuan gjithashtu, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Po ashtu, më herët gjatë vitit, SHBA vendosi sanksione edhe ndaj një zyrtari të lartë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, për shkak të thirrjeve të tij që GJPN të nisë hetime ndaj kompanive që bashkëpunojnë me qeverinë izraelite.

Human Rights Watch: “Sulm i pashembullt ndaj drejtësisë ndërkombëtare”

Liz Evenson, drejtoreshë e drejtësisë ndërkombëtare në Human Rights Watch, kritikoi ashpër sanksionet amerikane:

“Këto masa janë një përpjekje hakmarrëse për të ndëshkuar ata që mbrojnë të drejtat e viktimave të krimeve të rënda. SHBA po përpiqet të minojë shtetin e së drejtës në shkallë ndërkombëtare.”

Ajo i bëri thirrje shteteve anëtare të GJPN-së që të kundërshtojnë përpjekjet amerikane për të frenuar punën e gjykatës dhe të mbrojnë të drejtën për drejtësi për viktimat palestineze.