FLASH :

SHBA-të urojnë popullin shqiptar por jo Ramën për zgjedhjet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar këtë të martë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përmes një deklarate të shkurtër në rrjetet sociale. Edhe pse në Shqipëri tashmë është konfirmuar fitorja e katërt e njëpasnjëshme e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ambasada amerikane ka zgjedhur të mos e përmendë fare emrin e kryeministrit.

Në vend të një urimi për drejtuesin e qeverisë apo për fituesin e zgjedhjeve, SHBA-të janë mjaftuar me një mesazh të përgjithshëm:
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”

Ky formulim neutral është interpretuar si një sinjal i ftohtë diplomatik, që i shton peshë zërave kritikë të opozitës, të cilët prej ditësh kanë vënë në dyshim legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe kanë sugjeruar se heshtja amerikane ishte një shenjë mosnjohjeje. Ndryshe nga rastet e mëparshme, ku urimet drejtoheshin qartazi për kryeministrin fitues, kësaj radhe SHBA ka zgjedhur të mbajë distancë.