FLASH :

SHBA sulmon Iranin, Trump: I shkatërruam plotësisht bazat e tyre bërthamore

Në një veprim që ka tronditur rendin global dhe ka ndezur frikën për një përshkallëzim të madh lufte, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm të koordinuar ajror ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Presidenti Donald Trump konfirmoi sulmin, duke deklaruar se “të gjitha avionët tanë janë kthyer të sigurt në bazë” dhe se “objekti kryesor, Fordow, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash”. Sulmi u realizua me gjashtë bomba “bunker-buster” me peshë 14 ton secila, të lëshuara nga avionë B-2 amerikanë, ndërsa 30 raketa Tomahawk u hodhën nga nëndetëse në Mesdhe drejt impianteve të tjerë.

Trump tha se ky ishte një veprim i nevojshëm për të ndalur kërcënimin që vjen nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin” dhe i bëri thirrje Iranit “të zgjedhë paqen”. Sipas tij, “tani është koha për paqe”, pas dekadash veprimesh provokuese nga Teherani. Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke thënë se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.

Reagimi iranian erdhi menjëherë. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi e cilësoi sulmin si “një sjellje kriminale” që do të ketë “pasoja të përjetshme”. Ndërsa një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare e cilësoi goditjen si “akt lufte të mirëfilltë” dhe deklaroi: “Tani ka nisur lufta”. Kreu i diplomacisë iraniane theksoi se programi bërthamor ka qenë gjithmonë paqësor dhe akuzoi SHBA-në për “shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Organizata iraniane për Energjinë Atomike reagoi gjithashtu me vendosmëri, duke deklaruar se zhvillimi i industrisë bërthamore “nuk do të ndalet pavarësisht konspiracioneve djallëzore të armiqve”. Sipas saj, objektivat e shkatërruar janë “simbol i sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve bërthamorë”.

Netanyahu e vlerësoi lart vendimin e Trump, duke thënë se “historia do të kujtojë se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë armët më të rrezikshme në botë”. Ai shprehu shpresën se kjo goditje do të sjellë një të ardhme më të begatë për Lindjen e Mesme.

Ngjarja ka rritur tensionet në nivel ndërkombëtar, me gjasë që pasojat diplomatike dhe ushtarake të këtij akti do të ndihen për shumë kohë. Analistët paralajmërojnë se bota ndodhet në prag të një krize të re globale.