Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar rreth një të katërtën e stokut të raketave të tyre më të avancuara mbrojtëse, THAAD (Terminal High Altitude Area Defense), gjatë luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit në muajin qershor një përdorim masiv që ka nxjerrë në dritë një mungesë shqetësuese në aftësitë mbrojtëse të SHBA-së.
Sipas burimeve të afërta me operacionin dhe të konfirmuara nga Wall Street Journal dhe CNN, SHBA përdori më shumë se 100, e ndoshta deri në 150 raketa THAAD për të ndaluar sulmet masive iraniane me raketa balistike. Në operacion u angazhuan dy nga shtatë sistemet THAAD të SHBA-së, të vendosura përkohësisht në Izrael. Kjo përfaqëson përdorimin më të madh të këtij sistemi që nga krijimi i tij.
Raketat THAAD, të prodhuara nga Lockheed Martin, kushtojnë rreth 12.7 milionë dollarë secila dhe janë projektuar për të shkatërruar raketa balistike në fazën e fundit të fluturimit të tyre, brenda ose jashtë atmosferës. Sistemi përfshin gjashtë lëshues, 48 raketa dhe operohet nga 95 ushtarë për bateri.
Sipas të dhënave zyrtare të Pentagonit, SHBA prodhoi vetëm 11 raketa THAAD gjatë vitit të kaluar dhe pret të marrë vetëm 12 të tjera këtë vit fiskal. Për vitin 2026, janë planifikuar 37 njësi të reja, të financuara pjesërisht nga shtesa në projektbuxhetin e mbrojtjes të presidentit Donald Trump.

Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, u përpoq të zbutë shqetësimet duke deklaruar se “Ushtria amerikane është më e fuqishmja që ka qenë ndonjëherë dhe ka gjithçka që i nevojitet për të kryer çdo mision, në çdo vend e në çdo kohë.” Por ekspertët dhe ish-zyrtarë të mbrojtjes paralajmërojnë se ritmi i prodhimit nuk i përgjigjet nevojave reale në një periudhë tensionesh globale.
