Departamenti i Shtetit në SHBA e ka shpallur “Frontin e Rezistencës” (TRF) organizatë terroriste të huaj, duke e lidhur atë me grupin islamist Lashkar-e-Taiba dhe masakrën e 22 prillit në Kashmirin indian, ku mbetën të vrarë 26 burra. Sipas Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, vendimi i Uashingtonit vjen si “një thirrje për drejtësi” ndaj një akti brutal që përshkallëzoi përplasjet mes Indisë dhe Pakistanit.
TRF fillimisht mori përgjegjësinë për sulmin, për ta mohuar më pas, ndërsa SHBA e konsideron atë si një front të Lashkar-e-Taiba – grup i ndaluar prej kohësh që akuzohet për sulmin e vitit 2008 në Mumbai. India përshëndeti vendimin amerikan, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin kundër terrorizmit. Ndërkohë, Pakistani u distancua nga çdo lidhje me grupin, duke thënë se Lashkar-e-Taiba është tashmë e ndaluar në vend. Analistët vlerësojnë se veprimi i SHBA mund të afrojë më shumë Uashingtonin me Nju Delhin, në një moment kur marrëdhëniet SHBA-Indi kanë qenë të ftohta.