Administrata Trump po sinjalizon qartë se durimi i saj me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po soset. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi nga Parisi: “Nëse nuk është e mundur të përfundojë kjo luftë, atëherë duhet të ecim përpara.” Këto fjalë përbëjnë një sinjal alarmi për aleatët evropianë dhe vetë Kievin, pasi SHBA mund të jetë gati të tërhiqet nga ndërmjetësimi dhe mbështetja diplomatike.
Një skenar i mundshëm është që SHBA të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën, për të ushtruar presion ndaj Kremlinit. Megjithëse kjo do të përbënte një kthesë të papëlqyer për bazën pro-Trump, një ofensivë e fuqizuar ukrainase mund të ndryshojë llogaritjet ruse.
Rubio la të kuptohet edhe një opsion tjetër: largimi i plotë i SHBA nga çështja, duke ia lënë Ukrainës dhe Evropës barrën e konfrontimit me Rusinë. Një tërheqje amerikane do të ishte goditje për Ukrainën, që përballet me mungesa të mëdha, dhe për Evropën, që nuk është ende e përgatitur për një konflikt të madh. Por as për Rusinë kjo nuk është fitore – humbjet njerëzore dhe presioni ekonomik po rriten, dhe pa marrëveshje, nuk pritet as lehtësim i sanksioneve.
Edhe pse Zëvendëspresidenti JD Vance tha se Shtëpia e Bardhë mbetet “optimiste”, Rubio theksoi se koha po mbaron: “Brenda pak ditësh duhet të kuptojmë nëse kjo është e realizueshme.” Nga ana tjetër, Kremlini mban kontaktet e hapura, por pa angazhim konkret për negociata të reja.
Mbetet një hapësirë e ngushtë për një zgjidhje të minutës së fundit që u lejon palëve të ruajnë fytyrën. Por me Uashingtonin që po humbet durimin dhe Moskën që luan në kufijtë e përshkallëzimit, fundi i luftës në Ukrainë duket gjithnjë e më i largët.