Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se Qeveria Kurti ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat dialogun me Kosovën. Lajmi është bërë zyrtarisht i ditur nga ambasada amerikane në Prishtinë.
Për pezullimin e dialogut, SHBA akuzon qeverinë Kurti, që është ende në detyrë.
Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se Qeveria Kurti ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Deklaratë e Ambasadës në Prishtina që Shpall Pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën
12 shtator 2025
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës.