FLASH :

SHBA mesazh shqiptarëve: Votoni pa frikë në 11 maj! Frikë nga kush, Rama apo Berisha?

Katër ditë para zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë, duke i inkurajuar ata të votojnë lirshëm dhe pa frikë.

“Mos lejo të tjerët të flasin për ty. Vota jote është vetëm e jotja. Voto pa frikë”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Mesazhi përforcon rëndësinë e votës së lirë si një element kyç i demokracisë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga presionet e mundshme.
Ky nuk është mesazhi i vetëm nga përfaqësuesit amerikanë në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Vetëm dy ditë më parë, ambasada publikoi një deklaratë të Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, i cili theksoi rëndësinë e respektimit të zërit të qytetarëve.

“Të besosh në demokraci do të thotë të kuptosh se secili prej qytetarëve tanë ka mençuri dhe ka një zë. Ne nuk duhet të kemi frikë prej qytetarëve tanë, edhe atëherë kur ata shprehin pikëpamje që nuk pajtohen me udhëheqësit e tyre”, tha Zëvendëspresidenti Vance.
Por nga kush duhet të kemi frikë? A janë liderët politikë si Edi Rama dhe Sali Berisha një presion për votuesit? A po bëhet përpjekje për të ndikuar tek zgjedhja e qytetarëve?