Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr ekipin e tyre negociator nga Doha, ku po zhvilloheshin bisedimet për armëpushim me qëllim përfundimin e luftës në Gaza. Përfaqësuesi i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se përgjigjja e fundit e Hamasit “tregon qartë mungesë dëshire për arritjen e armëpushimit.”
Në vend të kësaj, Witkoff njoftoi në një postim në rrjetin X se SHBA-ja “do të konsiderojë opsione alternative për lirimin e pengjeve dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për popullin e Gazës,” pa dhënë detaje për këto opsione.
Ky reagim publik i negociatorit kryesor amerikan hedh dyshime mbi të ardhmen e përpjekjeve diplomatike, duke u kundërvënë optimizmit që disa burime shprehën më parë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, pavarësisht propozimit të fundit të Hamasit.
Mungesa e një armëpushimi kërcënon të zgjatë edhe më tej situatën katastrofike humanitare në Gaza, ku shumë njerëz po vdesin nga uria, ndërsa Izraeli vazhdon të zbatojë kufizime të rrepta ndaj ndihmave humanitare.
Witkoff, i cili ishte udhëtuar në Itali për konsultime mbi një mundësi armëpushimi të përkohshëm, tha se “ndërsa ndërmjetësit kanë bërë përpjekje të mëdha, Hamas nuk duket i koordinuar apo duke vepruar me sinqeritet.”
Ai shtoi: “Është turp që Hamas ka vepruar në këtë mënyrë egoiste. Ne jemi të vendosur të kërkojmë një fund të këtij konflikti dhe një paqe të qëndrueshme në Gaza.”
Edhe Izraeli tërhoqi ekipin e tij negociator nga Doha pas përgjigjes së Hamasit, por një burim izraelit deklaroi se kjo nuk tregon një krizë në bisedime, por se ishte e nevojshme që vendimet të merren në vend, dhe jo në distancë.
Një zyrtar tjetër i përfshirë në bisedime e përshkroi përgjigjen e Hamasit si “pozitive,” duke theksuar se, megjithëse ekzistojnë ende dallime mes palëve, “ekziston optimizëm në rritje se këto dallime po zvogëlohen dhe mund të arrihet një marrëveshje.”
Megjithatë, tani perspektivat për një marrëveshje janë më të paqarta, dhe mbetet e pasigurt nëse SHBA do të tërhiqet plotësisht nga roli i saj negociator apo nëse tërheqja e ekipit është një taktike presioni.
Ndërkohë, populli i Gazës nuk ka mundësi të presë për arritjen e një marrëveshjeje për të lejuar më shumë ndihma në zonën e rrethuar. Edhe pse numri i viktimave nga uria artificiale po rritet çdo ditë dhe organizatat ndërkombëtare lëshojnë paralajmërime të rënda, Izraeli vazhdon të kufizojë rrjedhën e ndihmave humanitare.
Gjatë administratës Biden, ekzistonte një zyrtar i posaçëm që merrej me çështjet e aksesit humanitar në Gaza, ndërsa gjatë administratës Trump nuk u emërua asnjë i tillë. Zyrtarët amerikanë, duke u përballur me kërkesa në rritje nga aleatët për më shumë ndihma në Gaza, vazhdojnë të fajësojnë ekskluzivisht Hamasin për krizën.
Në vend që të promovojë rritjen e ndihmave, administrata Trump ka lavdëruar rolin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), duke e paraqitur atë si mjetin e vetëm efektiv për shpërndarjen e ndihmave dhe parandalimin e vjedhjeve të pretenduara nga Hamas.
Megjithatë, kanë ndodhur shumë incidente të dhunshme pranë vendeve ku GHF shpërndan ndihma, dhe OKB-ja njofton se mbi 1,000 persona kanë vdekur duke kërkuar ndihmë. Vetëm gjatë kësaj jave, autoritetet lokale raportojnë më shumë se dhjetë raste të vdekjes nga uria në Gaza.
Në pyetjen nëse SHBA do të punojë për mënyra shtesë për të rritur ndihmat në mungesë të armëpushimit, zëdhënësi i zëvendësministrit të Shtetit, Tommy Pigott, pranoi “katastrofën humanitare,” por theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës.
“Ne duam të shohim përfundimin e shkatërrimit që ka ndodhur në Gaza, prandaj kemi angazhuar këtë përpjekje për të dërguar ndihma në mënyrë që të mos përdoren si armë nga Hamas,” tha ai në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit. “Ky angazhim vazhdon. Është angazhim i Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio, dhe për këtë arsye mbështesim Fondacionin Humanitar të Gazës.”
