Shtetet e Bashkuara janë në një gjendje alarmi pas vrasjes së aktivistit të krahut të djathtë, mbështetësit të Donald Trump, Charlie Kirk.
Një alarm për bombë në selinë e Partisë Demokratike në Uashington, edhe pse rezultoi fals, ngriti në këmbë policinë në Kapitol.
Vrasja e Kirk ka krijuar një atmosferë pasigurie edhe te politikanët amerikanë si demokratë ashtu edhe republikanë. Ligjvënës nga të dyja anët kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre dhe po shtojnë masat pas rritjes së dhunës me bazë politike.
Kongresmenia Aleksandra Ocasio Cortez tha se ka shtyrë dy evente publike të planifikuara këtë fundjavë në Karolinën e Veriut. Ajo shtoi se arsye për këtë u bë ngjarja në Utah, ku u vra Kirk dhe frika për sigurinë e saj. Cortez theksoi se vazhdimisht është përpjekur që tubimet e saj t’i mbajë në ambiente të mbyllura kur është e mundur.
Ndërkohë kongresmenia republikane Nancy Mace tha se do të mbajë armë zjarri me vete gjatë gjithë kohës për sigurinë e saj.
Kërcënimet ndaj anëtarëve të Kongresit ishin tashmë në rritje para vdekjes së Kirk. Deri në fund të këtij viti kalendarik, Policia e Kapitolit pritet të jetë përballur me të paktën 14,000 raste vlerësimi të kërcënimeve, nga 9,000 që ishin vitin e kaluar.
Ndërkohë vrasësi I Charlie Kirk mbetet ende I lirë. FBI ka publikuar foton e tij dhe ka vendosur 100 mijë dollarë shpërblim për këdo që ofron informacion.
I dyshuari mendohet se është në moshë universitare dhe qëlloi nga një çati pranë kampusit. Sipas ekspertëve të armëve, autori i vrasjes nuk ishte një snajperist profesionit, por duhet të ketë njohur kampusin universitar të Utahut ose të ketë ditur axhendën e udhëtimit të Charlie Kirk.
Trupi I Kirk do të transportohet në Phoenix, Arizona, me Air Force Two, avioni i zëvendëspresidentit JD Vance. Familja dhe miqtë e tij, Vance dhe gruaja e tij Usha, do të hipin më pas në bord.