FLASH :

Sharm pa teprime: Veshjet që ndezin gjithmonë imagjinatën e meshkujve

Zgjedhja e duhur e veshjes nuk është rastësi, por një mesazh që flet pa fjalë

Sa herë që vjen momenti i zgjedhjes së veshjes, mendësia e meshkujve shpesh ndryshon nga ajo e femrave. Për ta, veçanërisht takimi i parë është thelbësor, ndaj çdo detaj ka peshë dhe zgjedhja e veshjes nuk është një hap që duhet marrë lehtë.

Sigurisht, vendimi ndikohet nga moti apo vendi ku shkon, por po aq e rëndësishme është të ndihesh komode me atë që vesh. Megjithatë, duke ditur që përshtypja e parë mbetet çelësi i suksesit, ja disa rregulla të thjeshta që meshkujt shpesh presin nga një femër, sepse edhe veshja flet dhe përcjell mesazhe.

Çfarë do të thuash për veten, kjo është në dorën tënde.

Hapësira për fantazi

Këmbët, supet, qafa dhe krahët janë pjesët që meshkujt pëlqejnë të shohin më shpesh. Fundet janë gjithmonë një zgjedhje klasike për të nxjerrë në pah këmbët, por edhe një bluzë e hapur me shpatulla të zhveshura ka po aq efekt. Edhe pse xhinset janë të rehatshme, alternimi me një fustan të thjeshtë, sidomos në një takim të parë, mund të jetë një plus i madh.

Përshtat veshjen me linjat e trupit

Një veshje që i jep formë belit apo nxjerr në pah siluetën e bën trupin të duket harmonik dhe tërheqës. Shmang rrobat shumë të gjera ose xhinset “boyfriend”, të cilat shpesh fshehin format. Një trup që shihet si i kujdesur nën një pëlhurë të thjeshtë është më joshës se çdo ekspozim i tepruar.

Mos e tepro me ekspozimin

Ekziston një vijë shumë e hollë mes provokimit me shije dhe ekspozimit të panevojshëm. Nëse synon të zgjojë fantazinë e tij, ruaje balancën: lëre të zbulojë gradualisht, në vend që t’i tregosh gjithçka menjëherë. Veshjet tepër të hapura shpesh nuk janë tërheqëse – madje mund të japin një mesazh të gabuar.

Thjeshtësia është elegante

Një kombinim i thjeshtë që nxjerr në pah trupin shpesh është më efektiv se një veshje e ndërlikuar me shtresa e aksesorë të tepërt. Fillimi me minimalizëm të jep mundësi të ruash surpriza të tjera më vonë. Stili i modeles apo kombinimet më guximtare lëri për herët e ardhshme, kur ai tashmë të ketë njohur.

Siguria mbi gjithçka

Sekreti i një veshjeje tërheqëse nuk është vetëm në prerje apo ngjyrë, por në mënyrën si e mbart. Nëse një veshje nuk të bën të ndihesh e sigurt, ndryshoje. Nëse e zeza të jep gjithmonë elegancë, atëherë mos ngurro. Nëse të pëlqen moda, trego ngjyrat me vetëbesim. Dhe nëse ke një tatuazh që do ta nxjerrësh në pah, bëje këtë me krenari.

Meshkujt impresionohen nga feminiliteti i natyrshëm dhe nga vetëbesimi që një femër shfaq kur është në harmoni me veshjen e saj.