FLASH :

Sekuestrohet në Fier Lamborghini Urus Mansory e modifikuar në Dubai me vlerë 400 mijë euro

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka sekuestruar një automjet luksoz tip “Lamborghini Urus Mansory” në pronësi të shtetasit Arbër Muça, si pjesë e hetimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ky automjet kap në treg një vlerë që mund të shkojë deri në 400 mijë euro.

Sekuestrimi është bërë në kuadër të procedimit pasuror nr.3 të vitit 2024, të regjistruar në bazë të ligjit për goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit përmes masave kundër pasurisë. Automjeti i modifikuar nga fabrika Mansory dhe sjellë në Shqipëri nga Dubai, dyshohet se është futur në vend nëpërmjet personave të tretë, për të fshehur origjinën reale.

Ky zhvillim vjen pas një tjetër vendimi të një viti më parë, kur Prokuroria e Fierit sekuestroi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 2 milionë euro, përfshirë automjete, bizhuteri dhe shuma të mëdha parash, në pronësi të Arbër Muçës.

Prokuroria bën me dije se hetimet për pasurimin e paligjshëm do të vijojnë, duke marrë masa të mëtejshme për sekuestrim dhe konfiskim të aseteve që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Muçës më parë i ishin sekuestruar edhe një automjet “Ferrari”, model California, me vlerë rreth 130.000 Euro, Ora të markës “Rolex”, si dhe bizhuteri dhe sende të tjera të çmuara me vlera të konsiderueshme.