Në një ishull të fshehtë pranë Venecias, San Giovanni Evangelista – me vetëm 11 banorë dhe një vilë me pesë dhoma – po përgatitet një nga darkat më të bujshme të vitit: ajo e Jeff Bezos përpara dasmës me Lauren Sanchez. Aty pritet të ulen rreth 200 milionerë e miliarderë, përfshirë Kim Kardashian, Kris Jenner, Barry Diller dhe Diane von Furstenberg.
Darka do zhvillohet në një vresht, ndërsa të ftuarit do të vijnë me varka nga Kanali i Madh, nën masa sigurie të niveleve presidenciale. Sanchez mendohet se do të mbërrijë me helikopter në jahtin mbështetës Abeona të superjahtit të famshëm Koru, i cili qëndron i ankoruar në Kroaci pas protestave dhe frikës nga siguria për shkak të sulmeve të fundit të SHBA-së ndaj Iranit.

Ceremonia martesore do zhvillohet të premten në ishullin San Giorgio Maggiore, në teatrin e hapur të Fondacionit Cini, ku mund të akomodohen deri në 1,500 të ftuar. Pas martesës do ketë një darkë në ambiente historike palladiane dhe fishekzjarre.

Sanchez do veshë një fustan të Dolce & Gabbana, ndërsa Bezos do vishet me një smoking të zgjedhur nga Anna Wintour. Ajo mendohet se do ndërrojë më shumë se një duzinë veshjesh gjatë tri ditëve të festimeve.

Të shtunën, do mbahet një ballo në Arsenale, ish-skantieri i famshëm venecian. Ndërkohë, janë planifikuar edhe “party sekrete” në ishuj të vegjël si Sacca Sessola, Burano, Giudecca, apo në muze si koleksioni Guggenheim.
Pas dasmës, çifti pritet të zhvendoset në Taormina të Sicilisë për muajin e mjaltit. Ndërsa fotografitë zyrtare do botohen në Vogue apo Vanity Fair.

Dasma, e cila fillimisht ishte planifikuar si një ngjarje superluksoze prej 50 milionë dollarësh, është “zbutur” pas kritikave globale ndaj fluturimit në hapësirë të organizuar nga Bezos dhe pjesëmarrjes së Sanchez. Buja dhe siguria globale e kanë bërë çiftin të reduktojë profilin e dasmës, ndërsa janë paralajmëruar edhe donacione për bamirësi veneciane – por vetëm pasi dasma të përfundojë, për të mos u perceptuar si “blerje” e qytetit.
E gjitha kjo nisi nga një projekt dokumentari për Blue Origin, ku Bezos dhe Sanchez nisën një lidhje që përfundoi në fund të martesës 25-vjeçare të Bezos me MacKenzie Scott. Tani, Lauren është gjysma e një prej çifteve më të pasur në botë dhe zëvendëskryetare e Bezos Earth Fund, me 10 miliardë dollarë të dedikuar për klimën.
Dasma është planifikuar nga agjencia Lanza & Baucina, të cilët premtojnë se po punojnë me respekt të plotë për qytetin, duke punësuar vetëm venecianë dhe duke bashkëpunuar me OJQ-të lokale. Por ende, atmosfera në Venecia është e tensionuar dhe sytë e gjithë botës janë kthyer nga “dasma e vitit”.