FLASH :

Sekretari Rubio vizitë në Izrael, takim me Natanyahun për mundësinë e aneksimit të Bregut Perëndimor

Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ka mbërritur në Izrael. Sipas Departamentit të Shtetit amerikan, qëllimi i udhëtimit të Rubio është të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për Izraelin, para njohjes së mundshme të një shteti palestinez nga disa shtete të tjera në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më herët, Rubio ka deklaruar për gazetarët se ndonëse Presidenti Trump “nuk ishte i kënaqur” me sulmin, ky i fundit nuk do të ndikonte në natyrën e marrëdhënieve amerikano-izraelite.

Ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “do të duhet të diskutojnë” mbi ndikimin që ky sulm mund të ketë mbi përpjekjet për një armëpushim.

Sulmi izraelit ndaj Dohas kishte si objektiv liderët e Hamasit, të cilët po diskutonin një propozim të ri armëpushimi të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur operacionin, duke theksuar se eliminimi i funksionarëve të lartë të Hamas do të zhdukte “pengesën kryesore” për përfundimin e luftës.

Në kuadër të vizitës, Rubio pritet të diskutojë mundësinë e një aneksimi izraelit të disa pjesëve të Bregut Perëndimor, si përgjigje ndaj njohjes së mundshme të një shteti palestinez nga disa vende perëndimore deri në fund të muajit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sipas Axios, Kryeministri izraelit Netanyahu është i interesuar të kuptojë në takimin me Rubio nëse Trump do të mbështeste aneksimin, pavarësisht rrezikut për prishjen e marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat tashmë janë kërcënuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar e konsideron Bregun Perëndimor si territor të okupuar dhe do të cilësonte çdo aneksim të Izraelit si të paligjshëm dhe provokues.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paralajmëruar administratën Trump dhe qeverinë izraelite se një aneksim i Bregut Perëndimor do të dëmtonte ndjeshëm traktatin e paqes ndërmjet Abu Dabit dhe Izraelit dhe marrëveshjet më të gjera të Abrahamit.

Dy funksionarë izraelitë kanë deklaruar për Axios se Rubio, gjatë takimeve private, ka lënë të kuptohet se administrata Trump nuk do të kundërshtonte aneksimet në Bregun Perëndimor dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të dilnin në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër kësaj nisme.

Këto deklarata kanë shkaktuar shqetësim brenda administratës Trump, pasi nuk kishte një qëndrim të qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje, duke krijuar mendimin se qeveria izraelite mund të pohojë një pozicion të ngjashëm me atë të SHBA.

Pjesa më e madhe e shqetësimeve nga funksionarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit ka qenë se një aneksim i Bregut Perëndimor mund të shkaktonte prishjen e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe do të ndikte negativisht në trashëgiminë politike të Trump.