Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, do të nisë nesër një vizitë zyrtare në Izrael, ku pritet të paraqesë prioritetet e Uashingtonit mbi konfliktin Izrael-Hamas dhe çështjet më të gjera të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Lajmi u konfirmua nga Departamenti i Shtetit, i cili njoftoi gjithashtu se pas misionit në Izrael, Rubio do t’i bashkohet presidentit Donald Trump në vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar më 17 shtator.
Sipas deklaratës, Rubio do t’i theksojë autoriteteve izraelite objektivat e përbashkëta të SHBA dhe Izraelit.
“Të sigurojmë që Hamasi të mos qeverisë më kurrë në Gaza dhe të rikthehen në shtëpi të gjithë pengjet”.
Rubio dhe udhëheqësit izraelitë do të diskutojnë gjithashtu mbi objektivat operacionale të Izraelit në kuadër të Operacionit “Karrocat e Gideonit II”, si dhe mbi angazhimin amerikan për të kundërshtuar veprimet anti-izraelite, përfshirë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez apo procedurat ligjore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Gjatë vizitës, sekretari Rubio do të takojë edhe familjet e pengjeve, duke theksuar se kthimi i tyre në atdhe mbetet një prioritet absolut për Shtetet e Bashkuara.