Anëtarët e Gardës Kombëtare që patrullojnë rrugët e Uashingtonit do të jenë të armatosur, sipas një urdhri të dhënë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Lajmi u konfirmua nga Departamenti i Mbrojtjes, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet apo natyrën e masës.
Ky zhvillim përfaqëson një përshkallëzim të ndërhyrjes së administratës Trump në kontrollin e rendit në kryeqytetin amerikan. Sipas agjencisë AP, aktualisht ndodhen rreth 2,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington, ndërsa gjatë kësaj jave pritet të mbërrijnë edhe qindra trupa të tjera nga shtete të ndryshme. Më parë, Pentagoni dhe Ushtria kishin deklaruar se trupat nuk do të ishin të armatosura.
“Komandanti i përkohshëm i Gardës Kombëtare të Uashingtonit ka autoritetin për të bërë ndryshimet e nevojshme në rendin ushtarak, në bashkëpunim me Policinë Metropolitane të Uashingtonit dhe agjencitë e tjera federale të zbatimit të ligjit. Garda Kombëtare mbetet e përkushtuar për të mbrojtur Distriktin e Kolumbisë dhe për të shërbyer qytetarëve që jetojnë, punojnë dhe vizitojnë këtë zonë,” tha një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes për Fox News.
Sipas informacioneve zyrtare, trupat do të jenë të pajisura me armë në ditët në vijim, por nuk do të kenë të drejtë për të kryer arrestime. Megjithatë, do të kenë autoritetin për të ndaluar përkohësisht individë dhe për t’i dorëzuar më pas tek autoritetet kompetente.
Trump: Do ta bëjmë qytetin të sigurt
Presidenti Donald Trump vizitoi të enjten forcat ushtarake dhe policore të vendosura në Uashington, ku deklaroi se operacioni për rikthimin e rendit “do të zgjasë pak kohë”.
“Do ta bëjmë të sigurt qytetin dhe pastaj do të shkojmë diku tjetër. Por do të qëndrojmë këtu për ca kohë. Duam që gjithçka të jetë absolutisht perfekte,” u shpreh ai nga selia e Shërbimit Kombëtar të Parqeve në lagjen Anacostia.
Trump ishte i rrethuar nga forcat e rendit lokale, policia federale dhe anëtarë të Gardës Kombëtare – forca rezervë e ushtrisë amerikane. Ai i urdhëroi për të ndihmuar në kontrollin e kriminalitetit, për të cilin tha se “ka dalë jashtë kontrollit”, një pohim që është mohuar nga autoritetet lokale.
Ai shtoi se kishte marrë “më shumë telefonata se kurrë më parë” nga banorët, të cilët e falënderonin për vendosjen e ushtrisë.
“Kam folur me njerëz që nuk kanë pasur guxim të shkojnë në restorante për katër vjet,” tha ai.
Në fund të deklaratës, Trump preku edhe çështjen e parqeve publike:
“Ajo që do të bëjmë gjithashtu është të rinovojmë parqet tona. E njoh mirë barin, sepse kam fusha golfi pothuajse gjithkund. Di më shumë për barin se kushdo tjetër,” u shpreh ai. “E dini që bari ka jetë? Bari ka jetë, dhe edhe ju keni jetë,” përfundoi Trump.