FLASH :

Seanca e 18-të për Kuvendin – Kosova sërish në ngërç, a do të zgjidhet sot kryeparlamentari?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 18-ën herë në përpjekje për të konstituuar përfundimisht përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca nis në orën 10:30, por kriza politike vazhdon, pasi partitë kryesore mbeten të ndara për emrin e kryeparlamentarit.

Në seancën e mëparshme, kryesuesi Avni Dehari ftoi partitë që të propozojnë nga një përfaqësues për të lehtësuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan sërish të marrin pjesë në këtë proces, duke e thelluar edhe më tej bllokadën institucionale.

Deri më tani, janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës: verifikimi i mandateve dhe betimi i deputetëve. Por Kuvendi ngeci në pikën kyçe – zgjedhjen e kryeparlamentarit – pasi kandidatura e Glauk Konjufcës nga LVV shihet si përçarëse nga PDK dhe AAK. Këto të fundit kërkojnë që LVV të propozojë një emër tjetër, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të japë votën për asnjë kandidat të Vetëvendosjes.

Zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve është kusht për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë së re. Pavarësisht 17 tentativave të dështuara, mbetet për t’u parë nëse sot, më 19 maj, Kosova do të arrijë të dalë nga ngërçi politik që ka paralizuar institucionet.