Një 22-vjeçar është vënë nën hetim nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se i shiti lëndë narkotike të llojit kokainë një vajze 15-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur më 16 maj, ndërsa pas konsumimit të drogës, e mitura është ndjerë keq dhe është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe për të verifikuar rolin e të riut në ngjarje.
22-vjeçari do të hetohet në gjendje të lirë, në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe akuzave për trafikim të lëndëve narkotike te të mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. L., 22 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se më datë 16.05.2025, i ka shitur një sasi lëndë narkotike kokainë një shtetaseje të mitur 15 vjeçare, e cila si pasojë e konsumimit të lëndës narkotike ka marrë ndihmë mjekësore në spital.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.







