Ikona e futbollit afrikan dhe presidenti i Federatës Kamerunase të Futbollit (FECAFOOT), Samuel Eto’o, ndodhet në qendër të një skandali të madh që mund të rrezikojë të ardhmen e futbollit kamerunas vetëm pak muaj para Botërorit 2026.
Një grup profesionistësh të fushës, i udhëhequr nga avokati ndërkombëtar Emmanuel Nsahlai, ka paraqitur ankesa zyrtare pranë Komitetit Etik të FIFA-s, Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) dhe Ministrisë së Sportit të Kamerunit, duke e akuzuar Eto’on për një menaxhim “të errët” të federatës. Akuzat janë të rënda: korrupsion, përfshirje të dyshuar në trukime ndeshjesh të kategorisë së dytë në Kamerun, evazion fiskal në Spanjë me vlerë 4,4 milionë dollarë, shtypje të opozitës së brendshme, manipulim elektoral dhe konflikt interesi me kompaninë ruse të basteve 1xBet, si dhe zhdukja e rreth 1,5 milionë dollarëve të ardhura nga ndeshjet miqësore.
“Ky nuk është një sulm ndaj Eto’os si futbollist, karriera e tij është e paprekshme. Bëhet fjalë për shpëtimin e qeverisjes së futbollit kamerunas dhe rikthimin e vlerave të integritetit dhe fair play-it”, u shpreh Nsahlai.
Eto’o, i zgjedhur president në vitin 2021 me premtimin për transparencë, ka qenë edhe më parë i përfshirë në polemika. Në vitin 2024 FIFA e pezulloi për sjellje ofenduese gjatë Botërorit të femrave U-20, ndërsa më herët ishte gjobitur për kontratën me 1xBet. Pas eliminimit të Kamerunit nga Kupa e Afrikës, ai pati dhënë dorëheqjen, por federata nuk e pranoi.
Tani, nën presionin e madh ndërkombëtar, mandati i tij si president i FECAFOOT rrezikon të përfundojë para afatit.