Në Paris u mbajt samiti i radhës për Ukrainën, ku u diskutua për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Zhvillohet videokonferencë edhe me Trumpin. Zelensky: Po konkretizojmë garancitë. Por, Moska kundërshton prezencën e trupave të huaja në Ukrainë. Zelensky dhe Macron mbajnë një konferencë për shtyp.
Në pallatin Elize në Paris, liderë nga 30 shtete të ndryshme, u mblodhën fizikisht e virtualisht për të diskutuar si pjesë e Koalicionit të të Vullnetshmëve garancitë e sigurisë në Ukrainë. Franca dhe Britania, që kryesojnë koalicionin shpresojnë që diskutimet, të pasojnë një marrëveshje armëpushimi apo paqeje mes Ukrainës e Rusisë.
Pas takimit, ku disa pjesëmarrës ishin prezentë fizikisht dhe të tjerë virtualisht, përfshirë kryeministrin Edi Rama u zhvillua edhe një videokonferencë me presidentin amerikan Donald Trump. Në videokonferencë Trump u ka kërkuar lidërve evropianë që të “ndalojnë së bleri naftën ruse” dhe të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kinën “sepse ajo po financon luftën e Rusisë”.
Ndërkohë, pas takimit në pallatin Elize, presidenti i Ukrainës Volodymir Zelenskyy dhe ai i Francës Emmanuel Macron kanë mbajtur një konferencë për shtyp, ku Macron tha se 26 vende kanë premtuar të dërgojnë trupa në Ukrainë, për të garantuar paqe dhe armëpushim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkroi shkurtimisht në rrjete sociale se “po konkretizojnë garancitë e sigurisë” për vendin e tij.
“Ne po i bëjmë realitet garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën dhe tashmë po ofrojmë mbështetje për Forcat tona të Mbrojtjes së Ukrainës”, shkroi Zelensky në X.
Moska, përpara nisjes së këtij takimi, nëpërmjet një deklaratë të zëdhënëses së ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova kundërshtoi idenë e pranisë së ushtarëve të huaj në territorin e Ukrainës.
“Garancitë e sigurisë të kërkuara nga Ukraina përbëjnë një kërcënim për kontinentin evropian dhe janë absolutisht të papranueshme. Idetë e udhëheqësit të Kievit, të cilat janë në thelb një kopje e iniciativave të sponsorëve evropianë – madje as sponsorë, por partia evropiane e luftës, siç e kemi thënë më shumë se një herë – janë absolutisht të papranueshme. Ato synojnë ta ruajnë Ukrainën si një platformë nisjeje për terror, për provokime kundër vendit tonë.”, theksoi ajo.
Franca dhe Britania janë dy shtetet që kanë shprehur pëlqimin e dërgimit të ushtarëve të tyre në territorin ukrainas por larg vijës së frontit.