1.500 punonjës policie nga të gjitha strukturat përfshirë Antiterrorin, Policinë Rrugore, Krimet dhe Rendin, si dhe Policinë Bashkiake të Tiranës, do të jenë në terren për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Përgjatë perimetrit të sheshit “Skënderbej”, rreth 600 efektivë policie do të angazhohen për ruajtjen e delegacioneve të nivelit të lartë të liderëve evropianë.
Garda e Republikës dhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë në terren, të cilët do të monitorojnë gjithashtu edhe rrjetet sociale, për të identifikuar çdo thirrje të mundshme për destabilitet.
Gjithashtu, në të gjitha pikat kufitare janë shpërndarë fotot e personave të dyshuar për prirje ekstremiste, me udhëzimin që të mos lejohen të hyjnë në territorin e Shqipërisë.
Sa i përket sigurisë së personaliteteve, në vend ndodhen edhe ekspertë të huaj të sigurisë, të cilët kanë ofruar asistencën e tyre në shoqërimin me eskortë të figurave të huaja nga Aeroporti i Rinasit deri në zonën ku do të mbahet samiti.