CEO i OpenAI, Sam Altman, bëri të ditur se një kërkesë mesatare në ChatGPT konsumon rreth 0.34 vat-orë energji – sa për të mbajtur ndezur një llambë me efikasitet të lartë për disa minuta, ose sa përdor një furrë elektrike për pak më shumë se një sekondë.
Gjithashtu, një kërkim përdor afërsisht 0.00032 litra ujë – rreth një të pesëmbëdhjetën e një luge çaji të mbushur me ujë.
Altman theksoi se në të ardhmen, veçanërisht pas vitit 2030, energjia do të bëhet “jashtëzakonisht e bollshme”, falë automatizimit të qendrave të të dhënave dhe përparimeve në teknologji. Ai parashikon që me kalimin e viteve kostoja për përdorimin e inteligjencës artificiale do të afrohet me koston e përdorimit të vetë energjisë elektrike.
Sipas tij, kostot e përdorimit të AI po bien me ritme të shpejta. Në blogun e tij, ai përmendi se çmimi për çdo njësi informacioni (token) nga GPT-4 në fillim të 2023 deri te GPT-4o në mesin e 2024 ka rënë rreth 150 herë. Këtë progres e krahasoi me ligjin e Moore, por me një ritëm shumë më të shpejtë.
Ndërkohë, për të përballuar kërkesën energjetike të rritur nga AI, disa kompani të mëdha teknologjike po orientohen drejt energjisë bërthamore dhe diellore. Microsoft ka nënshkruar një kontratë për të rindezur një central bërthamor në SHBA, ndërsa Google bashkëpunon me një kompani për të ndërtuar reaktorë bërthamorë të vegjël, që do të jenë funksionalë deri në vitin 2035. Google synon të arrijë emetime neto zero deri në vitin 2030, pavarësisht rritjes së kërkesave nga AI.