Ervin Salianji është paraqitur sot me pranga në Gjykatën e Fierit, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për lirim me kusht. Deputeti demokrat, i cili ndodhet në burg për çështjen e njohur si “Babale”, kërkon të përfitojë nga e drejta për lirim të parakohshëm pasi ka shlyer 2/3 e dënimit me një vit burg.
“Babale” ishte një çështje e bujshme që shpërtheu në vitin 2019, kur Salianji dhe persona të tjerë publikuan përgjime që pretendohej se tregonin vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke biseduar për trafiqe droge. Por pas hetimeve, gjykata vendosi se përgjimet ishin të stisura dhe të manipuluara, duke dënuar Salianjin për kallëzim të rremë dhe inskenim të ngjarjes.
Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve bëjnë me dije se Salianji ka marrë një karakteristikë pozitive nga Shërbimi i Provës, e cila mund të ndikojë ndjeshëm në vendimin e sotëm të gjykatës. Seanca është duke u zhvilluar në mes të vëmendjes së mediave dhe përfaqësuesve politikë.
Kujtojmë se Salianji, një nga figurat më të zëshme të opozitës dhe bashkëjetuesi i ish-deputetes Grida Duma, u dënua për kallëzim të rremë në aferën e publikuar si “Babale”, që tronditi skenën politike disa vite më parë. Vendimi i sotëm mund të shënojë jo vetëm kthimin e tij në jetën politike aktive, por edhe një simbolikë të fortë politike në një ditë ku pritet edhe vendimi për një tjetër figurë politike, Erion Veliaj, në Gjykatën e Lartë.
Do të jetë kjo dita e lirimit për Salianjin?