FLASH :

Thirrja më e njohur e demokratëve në këto 12 vite: “Rama ik”, në mënyrë të qartë dhe të prerë tashmë ka ndryshuar shënjestër dhe tani të gjithë e kanë kuptuar se ajo duhet t’i drejtohet liderit të tyre Sali Berisha, e artikuluar shkurt dhe pastër: “Sala ik!”.

Në këto 12 vite kur Rama ka qeverisur, Berisha edhe pse zyrtarisht i tërhequr nga PD, ka qenë në fakt personi kryesor që ka lëvizur fijet e Partisë së tij.

Për mbi 8 vjet ai kishte delfinin e tij Lulzim Basha si justifikim për humbjet.

Por tani që vendosi të rikthehej vet në plan të parë si protagonist, duket se humbja për PD ka qenë edhe më dërrmuese.

Demokratët duhet të kuptojnë se Berisha është dhurata më e madhe që Rama të qëndrojë në pushtet.

Përveçse është i mbaruar biologjikisht si politikan, ai gjithashtu është vendosur në listën e non-gratave nga SHBA dhe ka një proces të hapur penal, që me shumë gjasa do ta shpallë fajtor.

Asnjë politikan në botë me këtë status nuk mund të vijë në pushtet.

Berisha e ka rrënuar PD duke e mbajtur me thonj.

Zgjidhja nuk është vensdosja e një marionete tjetër, apo e vajzës së tij si në sulltanat, si shpresë për rimëkëmbje.

Zgjidhja e vetme është që ai ta lëshojë përfundimisht PD dhe të thotë pas meje kiameti, siç bëri Fatos Nano me PS dhe nga ky proces u poll Edi Rama.

Nëse Berisha nuk e lëshon partinë, demokratët duhet t’ia marrin.

Zgjidhje tjetër nuk ka. Përndryshe, në zgjedhjet e ardhshme Parlamentare do t’u duhet të bashkohen të gjithë me Mundësinë e Agron Shehaj, si e vetmja mundësi për të patur një forcë të djathtë, një alternativë dhe një opozitë në këtë vend.