Pas një blackout-i masiv që paralizoi jetën në Spanjë dhe Portugali, vëmendja po përqendrohet tek siguria e infrastrukturës kritike në Evropë – dhe veçanërisht në Gjermani. A mund të ndodhë një ngjarje e ngjashme edhe atje? Ndërsa autoritetet gjermane sigurojnë se një ndërprerje e përmasave të mëdha është “e pamundur”, incidentet e fundit – nga ndërprerja e energjisë në Berlin më 2019 deri te sulmet e përsëritura kibernetike ndaj institucioneve shtetërore – tregojnë një tjetër realitet: rreziku ekziston, dhe po rritet.
Rreth 80% e infrastrukturës kritike në Gjermani është në pronësi private, përfshirë rrjetet energjetike, komunikimin, ujin, transportin dhe sistemet financiare. Ndërkohë, edhe institucionet publike si parlamenti, ministritë dhe shërbimet policore janë bërë gjithnjë e më shpesh objektiv i sulmeve kibernetike. Një sulm i fundit në portalin elektronik të Berlinit preku shërbime thelbësore dhe forcat e rendit. Sulme të tilla nuk janë më të rralla – ato janë pjesë e një arsenali të zgjeruar të aktorëve keqdashës, që përfshin sabotime, dezinformim, ndërhyrje zgjedhore dhe strategji hibride.
Një projekt i madh për ta mbrojtur të ardhmen
Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, qeveria e re gjermane (koalicion i mundshëm CDU/CSU–SPD) po planifikon një investim strategjik prej 500 miliardë eurosh për 12 vitet e ardhshme, i përqendruar në infrastrukturën e transportit, energjisë dhe dixhitalizimit. Po ashtu, ligji për mbrojtjen e infrastrukturës kritike – i pezulluar pas rënies së qeverisë së mëparshme – pritet të rikthehet fuqishëm.
Qeveria synon të forcojë Zyrën Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) dhe të krijojë rregulla të reja që lejojnë përdorimin vetëm të pajisjeve nga “vende të besueshme” në rrjetet kritike gjermane. Ndërmarrjet e vogla e të mesme do të mbështeten me këshillim dhe fonde për të përmirësuar mbrojtjen kibernetike.
Në nivel europian, projekti ProtectEU dhe krijimi i njësisë së re për analizë inteligjente, SIAC, synojnë koordinimin dhe përmirësimin e përgjigjes ndaj kërcënimeve të përbashkëta, ndërsa Europol pritet të zgjerohet dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare.
Gjermania, e cila historikisht ka patur një nga rrjetet më të qëndrueshme të energjisë në botë, po përballet me sfida të reja në një botë ku siguria nuk matet më vetëm me tanke dhe tela me gjemba, por edhe me bitë, serverë dhe sinjale dixhitale. Rruga përpara kërkon jo vetëm investime, por edhe vendime të guximshme politike për të garantuar që dritat – dhe siguria – të mos fiken kurrë.