Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pak momente më parë në shëtitoren Lungomare në Vlorë.
Një automjet tip Benz, që po udhëtonte me shpejtësi mbi normat e lejuara, ka përplasur një burrë të moshuar rreth 75 vjeç, i cili po kalonte rrugën jashtë vijave të bardha. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme të makinës, përfshirë thyerjen e xhamit.
I moshuari ka përfunduar i shtrirë në tokë me lëndime të rënda në trup, gjymtyrë dhe kokë. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Vlorës, ku po merr ndihmë mjekësore të specializuar.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë dhe mungesa e vëmendjes nga ana e drejtuesit të mjetit.