FLASH :

Rusia sulm ‘masiv’ mbi Kiev, 8 të vdekur, mes tyre 2 fëmijë! Zelensky: Zgjedh raketat në vend të negociatave

Të paktën 8 persona u vranë dhe 45 të tjerë u plagosën nga një sulm i madh rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës gjatë natës njoftoi mëngjesin e sotëm presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Këto raketa dhe dronë rusë sot janë një përgjigje e qartë për të gjithë ata në botë që, prej javësh e muajsh, kanë bërë thirrje për armëpushim dhe diplomaci të vërtetë,” shkroi ai në një postim në X.

“Rusia zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së negociatave”

Zelenskyy kërkoi sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë dhe shtoi: “Ne presim një reagim nga Kina për atë që po ndodh. Kina është shprehur vazhdimisht kundër zgjerimit të luftës dhe ka kërkuar armëpushim.”

Deklarata e tij erdhi pak orë pasi Pekini njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, do të jetë mes liderëve që do të marrin pjesë në një paradë ushtarake me presidentin Xi Jinping javën e ardhshme në Pekin.

Mes vikmave 2 fëmijë

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, tha më herët se mes viktimave ishte një vajzë 14-vjeçare dhe një tjetër fëmijë.

Sipas Kyiv Independent, nga 45 të plagosurit, 30 janë shtruar në spital. Mes të lënduarve ka edhe disa fëmijë.

Një godinë pesëkatëshe banimi në distriktin Darnytskyi u godit drejtpërdrejt. “Gjithçka është shkatërruar,” tha Tkachenko, ndërsa një tjetër sulm në qendër të Kievit la një rrugë kryesore të mbushur me copëza xhami.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se sulmi preku mbi 20 zona në kryeqytet dhe se ekipet e shpëtimit ndodheshin në terren për të nxjerrë njerëz nga rrënojat.

Gazetarë të Agjencisë France-Presse në Kiev raportuan shpërthime të fuqishme gjatë sulmit, ndërsa zyrtarët ukrainas paralajmëruan për një “sulm masiv” rus. Sipas Associated Press, ky ishte sulmi i parë i madh i kombinuar me dronë dhe raketa mbi Kiev që nga takimi i Donald Trump me Vladimir Putinin në Alaskë më 15 gusht.

 Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë vijuar javët e fundit pas takimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologëve të tij rus e ukrainas. Megjithatë, ka pasur pak përparim konkret, pasi Kremlini ka shmangur ofertën e Volodymyr Zelenskyy për një takim ballë për ballë me Vladimir Putinin, duke shtuar çdo ditë kushte dhe pengesa për çdo marrëveshje paqeje.