FLASH :

Rusia ka nisur të humbasë luftën në Ukrainë: Fundi i një iluzioni të Putinit

Presidenti rus Vladimir Putin është mjeshtër i inskenimit të fitores, edhe në mes të humbjes. Por në Ukrainë, teatri ka humbur efektin. Lufta që nisi si një blitzkrieg për të gjunjëzuar Kievin, është shndërruar në një ngërç rraskapitës, ku humbjet njerëzore dhe ekonomike të Rusisë janë bërë të papërballueshme. Me mbi 790,000 të vrarë apo të plagosur, territor të pushtuar pa vlerë strategjike dhe pa ndonjë përfitim ekonomik konkret, Putin po përballet me një realitet që nuk mund ta fshijë me propagandë: Rusia po e humbet këtë luftë.

Në përpjekje për të ruajtur kontrollin, Kremlini ka kaluar nga përpjekjet ushtarake drejt një lufte ndaj civilëve, duke goditur infrastrukturën dhe popullatën, me shpresën se ukrainasit do të dorëzohen. Por kjo strategji ka rezultuar në të kundërtën: ka forcuar moralin e ukrainasve dhe besimin e tyre në fitoren përfundimtare. Nga ana tjetër, Putin ka dështuar të arrijë ndarje brenda Perëndimit – përkundrazi, mbështetja për Ukrainën është forcuar, sidomos pas ardhjes në pushtet të kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili ka angazhuar Gjermaninë për 500 miliardë dollarë shpenzime ushtarake. Rusia nuk ka më diplomaci funksionale dhe as një ekonomi të qëndrueshme: inflacioni i lartë, tregu i mbinxehur i punës dhe rënia e çmimeve të energjisë kanë shteruar “çudinë e rritjes” me të cilën mburrej dikur Moska.

Në një vend ku pushteti përqendrohet vetëm në një njeri, çdo humbje është personale. Për këtë arsye, Putin ka nisur të flasë për herë të parë për një pasardhës, ndoshta i vetëdijshëm se karriera e tij politike është e lidhur ngushtë me një luftë që jo vetëm që nuk po e fiton, por që po ia përmbyt trashëgiminë. Në vend të një perandorie të ringjallur, Putini ka prodhuar një krizë të thellë, një Rusi të izoluar dhe një regjim që dridhet nga frika e së vërtetës: humbja në Ukrainë është e pashmangshme. Dhe me të, ndoshta, edhe fundi i vetë Putinit.