Një ndërtesë e shkatërruar në Kiev, duke vrarë 4 persona, 2 prej të cilëve fëmijë. 24 të tjerë u plagosën. Kjo vjen pas sulmeve të vazhdueshme ukrainase ndaj rafinerisë ruse.
Kievi është përballur me bombardime të rënda ruse gjatë natës, ku 4 persona u vranë, mes të cilëve dy fëmijë. Kryebashkiaku Vitali Klitschko e përshkroi sulmin si “masiv”, ndërsa të paktën 24 persona janë plagosur.
Bastisjet në kryeqytetin ukrainas kishin ndaluar pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putinit në Alaskë, dhe tani Kremlini ka ‘ringjallur’ terrorin te banorët, të cilët u dyndën në strehimore kundër sulmeve ajrore.
Një ndërtesë pesëkatëshe u shemb në rrethin Darnytski dhe një zjarr shpërtheu në një godinë banimi në rrethin fqinj Dnipro. Më shumë se 20 rrethe të qytetit janë goditur, përfshirë edhe një kopsht fëmijësh që është përfshirë nga flakët. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ky sulm vjen vetëm një ditë pasi më shumë se 100,000 shtëpi në Ukrainë mbetën pa energji elektrike pas një vale tjetër sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike.
Ofensiva e natës duket të jetë një përgjigje ndaj fushatës ukrainase kundër rafinerive ruse, e cila ka dëmtuar dhjetë fabrikat më të rëndësishme të vendit: prodhimi i benzinës dhe naftës është ulur me 17 përqind, duke shkaktuar rritje çmimesh dhe vështirësi në furnizimin e stacioneve të karburantit.
Sulmi ishte planifikuar me kujdes. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, rreth 100 dronë Shahed-Geranë të telekomanduar kaluan kufirin dhe më pas u grupuan në dy grupe, duke u drejtuar drejt Kievit nga veriu dhe jugu. Pas mesnatës, u nis vala e dytë, këtë herë me rreth 50 pajisje shpërthyese të drejtuara drejt qytetit.