Forcat ruse kanë bombarduar sot një qendër tregtare dhe tregun në qytetin Dobropillja të rajonit të Donetskut, në lindje të Ukrainës, duke shkaktuar të paktën dy të vdekur dhe 26 të plagosur, sipas autoriteteve lokale. Guvernatori Vadym Filashkin tha se sulmi ndodhi rreth orës 21:00 dhe u krye me një bombë 500 kilogramëshe, që goditi një zonë të mbushur me civilë, në zemër të qytetit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si një akt “terrorizmi rus të tmerrshëm dhe absurd”, pa asnjë logjikë ushtarake, me qëllim vetëm shkaktimin e viktimave. Nga shpërthimi u dëmtuan 54 dyqane, 304 apartamente dhe 8 automjete, ndërsa pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë zjarrin e shpërthyer pranë qendrës tregtare. Dobropillja, që ndodhet pranë Pokrovskut – një objektiv strategjik për forcat pushtuese ruse – ka qenë më herët në shënjestër të sulmeve intensive, ku në mars u vranë 11 persona.