Në një lëvizje që sinjalizon përforcimin e lidhjeve politike dhe ushtarake midis dy regjimeve autokratike, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë nisur ndërtimin e urës së parë rrugore që lidh drejtpërdrejt territorin e tyre. Projekti, i cili përfshin ndërtimin e urës Tumangang mbi lumin Tumen dhe pritet të zgjasë 18 muaj, synon të lehtësojë udhëtimin e njerëzve, turizmin dhe qarkullimin e mallrave mes dy vendeve. Ceremonitë e njëkohshme të nisjes së punimeve u zhvilluan më 30 prill në qytetet kufitare Tumangang (Koreja e Veriut) dhe Khasan (Rusia), afër urës hekurudhore ekzistuese të quajtur “Ura e Miqësisë”.
Ndërkohë, bashkëpunimi mes dy vendeve ka hyrë në një fazë të re dhe alarmante, me konfirmimin se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë për të luftuar në krah të forcave ruse në Ukrainë. Sipas një vlerësimi të inteligjencës jugkoreane, rreth 15,000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur në frontin rus, nga të cilët rreth 4,700 janë vrarë ose plagosur. Presidenti rus Vladimir Putin ka falënderuar publikisht Korenë e Veriut për “sacrificat e luftëtarëve të saj”, ndërsa zyrtarë të lartë ushtarakë rusë kanë theksuar “kurajën dhe profesionalizmin” e tyre gjatë operacioneve për rimarrjen e rajonit të Kurskut. Por raportime të shumta sugjerojnë se trupat koreanoveriore janë përballur me vështirësi të mëdha në terren, janë trajtuar keq nga komandantët rusë dhe nuk janë përshtatur me taktikat moderne të luftës, sidomos ndaj përdorimit të gjerë të dronëve nga Ukraina.
Në këmbim të ndihmës ushtarake, Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje për luftë elektronike, dronë dhe teknologji për lëshimin e satelitëve spiunë. Po ashtu, vendi ka filluar të presë turistë rusë që nga shkurti 2024, duke përfituar nga lehtësimet graduale të masave pandemike. Në një zhvillim tjetër të rëndë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se ka përdorur një raketë të prodhuar nga Koreja e Veriut në një sulm vdekjeprurës ndaj Kievit më 24 prill, duke e quajtur aleancën Moskë–Pyongyang “kriminale” dhe një mjet për të “vrarë njerëz dhe shkatërruar jetë”.
Ndërtimi i urës së re rrugore është më shumë se një projekt infrastrukture – është simbol i afrimit strategjik mes dy shteteve të izoluar ndërkombëtarisht, që po e shfrytëzojnë njëri-tjetrin për qëllime ushtarake, politike dhe ekonomike. Ndërsa bota perëndimore përpiqet të izolojë Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, aleanca me Korenë e Veriut po shndërrohet në një kanal të ri furnizimi dhe mbështetjeje për Kremlinin, me pasoja potencialisht destabilizuese për sigurinë globale.








