FLASH :

Me kërkesë të pilotit, pasagjerët neutralizojnë rusin e dehur që terrorizoi avionin me thikë

Një fluturim nga qyteti rus Ulan-Ude drejt Moskës u kthye në skenë kaosi, pasi një pasagjer i dehur dhe agresiv kërcënoi se do të “therte” dhe “vriste” njerëzit në bord. Burri, i cili ishte mbyllur në tualet për të konsumuar alkool, filloi të godiste derën dhe të bërtiste me fjalë të rënda ndaj pasagjerëve.

Kapiteni bëri një thirrje urgjente në interfon, duke kërkuar “burra të fortë” për ta ndihmuar ekuipazhin. Menjëherë, pesë pasagjerë u përgjigjën dhe arritën ta rrëzonin dhe ta lidhnin agresorin në sedilje. Gjatë përleshjes, ai u lëndua në kokë, duke u gjakosur, por u mjekua nga stafi i avionit.

Pavarësisht kërcënimeve se kishte “miq të fuqishëm” në Moskë që do hakmerreshin, fluturimi vazhdoi normalisht falë ndërhyrjes së pasagjerëve. Në fund, i penduar, burri kërkoi falje, por në aeroportin Domodedovo e priste policia, që e arrestoi menjëherë.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi dy pasagjerë të dehur u ndaluan në një fluturim nga Britania drejt Greqisë, pasi kishin pirë një shishe vodka para nisjes dhe ishin bërë të pakontrollueshëm.