Rikthimi i Donald Trump në presidencën amerikane është parë nga Sali Berisha si një mundësi për të rikthyer legjitimitetin politik dhe për të hequr shpalljen “non grata” nga SHBA. Megjithatë, zhvillimet e fundit në diplomacinë amerikane duket se e zbehin këtë shpresë.
Konfirmimi i Yuri Kim, ish-ambasadores së SHBA në Tiranë dhe një figure kyçe në përballjen me korrupsionin në Ballkan, në një tjetër rol të rëndësishëm diplomatik nga vetë administrata Trump, përbën një sinjal të qartë se qëndrimi i Uashingtonit ndaj Berishës nuk ka ndryshuar.
Vetë Berisha e ka akuzuar më herët Yuri Kim për ndikim në shpalljen e tij “non grata”, ndaj ky zhvillim përforcon bindjen se linja amerikane mbetet e pandryshuar, pavarësisht rotacionit politik në Shtëpinë e Bardhë.
Departamenti i Shtetit ka filluar shkarkimin e më shumë se 1 300 personave si pjesë e një riorganizimi dramatik të agjencisë, theksojnë mediat ndërkombëtare.
Shkarkimet do të prekin 1 107 zyrtarë të shërbimit civil dhe 246 zyrtarë të shërbimit të jashtëm, thuhet në një njoftim të brendshëm të parë nga CNN.
Kjo vjen ndërsa Departamenti i Shtetit po zbaton një riorganizim drastik si pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës Trump për të tkurrur qeverinë federale, shkruan A2.
Qindra zyra po eliminohen ose ndryshohen si rezultat i ndryshimeve që po zbatohen të premten.
Punonjësit do të marrin njoftime për pushim nga puna me anë të email-it, thuhet në njoftim.
Shkarkimet po ndodhin ndërsa Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, është jashtë Uashingtonit, në një fluturim kthimi nga një udhëtim jashtë vendit në Malajzi.