Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite në Ekuador, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta kundër grupeve të huaja kriminale, duke i shkatërruar ato nëse është e nevojshme. Rubio sugjeroi gjithashtu një bashkëpunim të mundshëm me vende të tjera mike për të ndjekur këto grupe.
Rubio njoftoi se SHBA do të shpallin dy nga bandat më të rrezikshme të Ekuadorit, Los Lobos dhe Los Choneros, si organizata terroriste të huaja – një hap i paprecedentë që mund të hapë rrugën për ndërhyrje ushtarake dhe operacione inteligjence.
Këto deklarata vijnë disa ditë pas një sulmi ajror amerikan në Detin e Karaibeve, i cili vrau 11 trafikantë droge, të dyshuar si pjesëtarë të bandës venezueliane Tren de Aragua. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë publik identitetin e viktimave, ndërsa ekspertët ligjorë paralajmërojnë se veprimi mund të ketë shkelur të drejtën ndërkombëtare.
I pyetur për mundësinë që forcat amerikane të ekzekutojnë kontrabandistë edhe nga vende aleate si Meksika apo Ekuadori, Rubio tha se qeveritë bashkëpunuese do të ndihmojnë në identifikimin e objektivave, duke theksuar se “nuk ka nevojë për veprim të njëanshëm kur kemi aleatë që na ndihmojnë”.
Presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, ka përkrahur përcaktimin e bandave si terroriste dhe po kërkon të ndryshojë kushtetutën për të lejuar rikthimin e bazave ushtarake të huaja në vend.
Aktualisht, Ekuadori është bërë një nga rrugët kryesore të trafikut të kokainës në botë, me rreth 70% të prodhimit global që kalon përmes territorit të tij drejt SHBA-së, Evropës dhe Azisë. Dhuna nga kartelet është rritur ndjeshëm dhe po nxit edhe migrimin drejt veriut.