FLASH :

Rubio premton reagim nga SHBA pas dënimit të Bolsonaro: Gjueti shtrigash nga drejtësia braziliane

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten se Shtetet e Bashkuara do të reagojnë ndaj dënimit të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro për komplotin për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022 megjithatë pa dhënë detaje për natyrën e këtij reagimi.

“Përndjekjet politike nga shkelësi i sanksionuar i të drejtave të njeriut, Alexandre de Moraes, vazhdojnë, ndërsa ai dhe të tjerë në Gjykatën e Lartë të Brazilit kanë vendosur padrejtësisht të burgosin ish-presidentin Jair Bolsonaro,” shkroi Rubio në rrjetin X.
“Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen siç duhet ndaj këtij gjueti shtrigash,” shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Brazilit reagoi ashpër, duke e quajtur komentin e Rubio-s një kërcënim që “sulmon autoritetin brazilian dhe injoron faktet dhe provat bindëse në dosjen gjyqësore”. Ministria theksoi se demokracia braziliane nuk do të trembet nga Shtetet e Bashkuara.

Bolsonaro, i cili kishte lidhje të ngushta me presidentin amerikan Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, është bërë ish-presidenti i parë në historinë e Brazilit që dënohet për sulm ndaj demokracisë, pasi një shumicë prej pesë gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë votuan për dënimin e tij. Ai u dënua me 27 vjet e 3 muaj burg.

I pyetur nga gazetarët lidhur me dënimin e Bolsonaro-s dhe nëse kjo mund të çojë në sanksione të mëtejshme, Donald Trump u shpreh:
“E ndoqa gjyqin. E njoh mirë si udhëheqës të huaj. Mendoj se ishte një president i mirë për Brazilin, dhe është shumë befasuese që kjo ndodhi. Është shumë e ngjashme me atë që provuan të më bënin mua, por atyre nuk iu doli.”

“Mund të them vetëm këtë: e kam njohur si president të Brazilit. Ishte një njeri i mirë. Nuk e imagjinoj të ndodhte kjo,” shtoi Trump.

Trump, i cili edhe vetë është përballur me një sërë akuzash penale dhe u bë presidenti i parë amerikan i dënuar për një krim, ka kritikuar vazhdimisht sistemin gjyqësor brazilian dhe ka kërcënuar me tarifa doganore ndaj Brazilit për shkak të asaj që ai e quan përndjekje politike ndaj Bolsonaro-s.

Në korrik, ai vendosi tarifa 50% për shumicën e mallrave braziliane, por më vonë përjashtoi disa eksporte, përfshirë automjetet e pasagjerëve dhe pjesë të shumta për avionët civilë.

Po atë muaj, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj gjyqtarit brazilian Alexandre de Moraes, i cili drejtoi çështjen penale kundër Bolsonaro-s, duke e akuzuar për ndalime të padrejta para gjyqit dhe shkelje të lirisë së shprehjes.