FLASH :

Rrugorja e Tiranës hakmerret për arrestimin e shef Zekës, gjobit 5100 qytetarë për 3 ditë

Në atë që duket një hakmarrje e pamëshirshme ndaj qytetarëve të thjeshtë të Tiranës, policia rrugore e kryeqytetit ka gjobitur në vetëm 3 ditë, rreth 5100 qytetarë të metropolit. Këto masa shtrënguese, që ngjasojnë me tepër me një bilanc lufte, vijnë pak kohe pas arrestimit të kreut të rrugores së Tiranes, Roven Zeka, për korrupsion. Eshtë tipike e drejtorëve të rinj të policise shqiptare që e nisin me aksione klasike për të treguar se tani “këtu jam unë”, deri sa te rehatohen dhe të fillojnë dhe ata avazin dhe zakonin e vjetër, që kishte “infektuar” shef Zekën, që sot ndodhet në ambjentet e sigurisë, ashtu si shumë kriminelë të tjetër, që ai supozohet ti luftonte.

Njoftimi zyrtar i policisë rrugore të Tiranës mbi bilancin e 3 ditëve të fundit:

Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës intensifikon kontrollet, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Fokusi i kontrolleve: evidentimi dhe ndëshkimi i shtetasve që drejtojnë automjetet, në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, dhe lirimi i hapësirave të zëna nga automjetet e parkuara/të ndaluara në mënyrë të parregullt.

Gjatë 72 orëve të fundit, janë arrestuar/proceduar 10 shtetas, 2 prej të cilëve tentuan të korruptonin punonjësin e Policisë, për të shmangur ndëshkimin për shkeljet e kryera.

Si rezultat i përdorimit të mjeteve logjistike bashkëkohore, janë vendosur 5083 masa administrative për shkelje të ndryshme rrugore.

Gjithashtu, janë bllokuar 8 automjete.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të ndërmarra me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë vijuar kontrollet në akse të ndryshme rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve.

Nga kontrollet e kryera gjatë 72 orëve të fundit, janë arrestuar 4 drejtues mjetesh, për drejtim automjeti në gjendje të dehur, 4 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 2 drejtues mjetesh, për korrupsion aktiv ndaj punonjësve të Policisë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, janë spostuar me mjet ngritës, automjete të konstatuara të parkuara në vendin e rezervuar për autobusë/taksi.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera, duke parkuar/ndaluar automjetet, në vende ku nuk lejohet. Njëkohësisht, apelon për të gjithë qytetarët, që për çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, sipas Kodit Rrugor.