Një vizitë e zakonshme për një festë beqarie në Austin të Teksasit u shndërrua në një makth për Jeff Jones, 38-vjeçari nga Bostoni, i cili përfundoi në spital me shtylla metalike në shtyllën kurrizore dhe pa kujtesë për ngjarjet që e çuan atje. Pas zhdukjes së tij në orët e vona në Rainey Street dhe zbulimit të drogës së përdhunimit Rohypnol në sistemin e tij, dyshimet e para ranë mbi një vrasës serial të supozuar, të cilin media lokale e pagëzoi si “Rainey Street Ripper”.
Por policia në Austin mohon me forcë ekzistencën e një vrasësi serial. Megjithatë, statistikat janë shqetësuese: që nga viti 2022, në Lady Bird Lake janë gjetur të paktën 38 trupa, shumica burra në moshë mes 30 dhe 49 vjeç. Katër vetëm në vitin 2023. Shumë prej viktimave rezultuan të kishin qenë duke festuar në zonën e bllokut të bar-eve, vetëm pak metra larg liqenit.
Ndërsa zyrtarisht vetëm një nga rastet është klasifikuar si vrasje, dhe shumë të tjerë si mbytje aksidentale, vetëvrasje apo mbidoza, mbetet fakti se të paktën gjashtë raste nuk kanë marrë ende një shpjegim përfundimtar. Ky boshllëk ka ushqyer teoritë e konspiracionit dhe frikën publike. Viktima e fundit, një 17-vjeçar që u zhduk gjatë një aktiviteti me kajak me familjen, dyshohet se ra aksidentalisht në një humnerë nënujore. Policia nuk konstaton shenja dhune.
Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të frenuar aksidentet: më shumë ndriçim, rrethime mbrojtëse dhe prani ambulancash në fund të Rainey Street. Por për shumë njerëz si Jeff Jones, që mbijetuan pa u kujtuar se si, pyetja mbetet: A janë këto raste aksidente të rastësishme, apo shenja të një rreziku më të errët që fshihet në hijet e jetës së natës në Austin?




